19-vjeçaren shqiptare në Greqi e drogojnë në hotel dhe e lënë të vdesë në park, tre të arrestuar

Sipas hetimeve paraprake, gjithçka nisi në një dhomë hoteli ku vajza kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar. Më pas, aty janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, një grek dhe një 22-vjeçar shqiptar. Ata dyshohet se gjatë natës kanë konsumuar lëndë narkotike në grup.

Burimi: Protothema

15.04.2026. 16:56

19-vjeçaren shqiptare në Greqi e drogojnë në hotel dhe e lënë të vdesë në park, tre të arrestuar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Argostoli të Kefalonisë.

E reja, të cilës mediat greke i referohen si Myrto, u gjet pa ndjenja në orët e para të mëngjesit në një shesh të qytetit dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Sipas hetimeve paraprake, gjithçka nisi në një dhomë hoteli ku vajza kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar. Më pas, aty janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, një grek dhe një 22-vjeçar shqiptar. Ata dyshohet se gjatë natës kanë konsumuar lëndë narkotike në grup.

Në një moment, 19-vjeçarja ka humbur ndjenjat, por në vend që të dërgohej menjëherë në spital, tre të rinjtë e kanë nxjerrë nga hoteli dhe e kanë braktisur në rrugë. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë njërin prej tyre, një ish-peshngritës 26 vjeçar duke e mbajtur në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë.

Ajo ka qëndruar për një kohë të gjatë pa ndihmë, çka dyshohet se ka qenë fatale. Ambulanca u njoftua vetëm më vonë dhe e transportoi në spital, ku u konstatua vdekja.

Ekspertiza paraprake tregon se shkaku i vdekjes është arrest kardiak, ndërsa priten analizat toksikologjike për të konfirmuar nëse ka pasur përdorim droge.

Pas ngjarjes, 23-vjeçari që ishte partneri i vajzës është kthyer në hotel dhe ka tentuar të fshijë gjurmët, duke pastruar dhomën, hequr kokainën dhe duke marrë telefonin e vajzës. Ata janë identifikuar nga policia dhe akuzohen për vrasje nga pakujdesia.

Familja e viktimës është në gjendje shoku dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes. Babai i saj ka hedhur dyshime se vajza mund të jetë ndikuar nga personat me të cilët ndodhej për të përdorur lëndë narkotike.

“Fëmija im nuk ishte i tillë, mund ta kenë shtyrë ata, mund t’i kenë hedhur diçka. Nga ora 3 deri në 5 e kishin lënë në trotuar dhe po jepte shpirt. As qenit nuk i bëhet kështu. Nuk kam arsye për të jetuar më… humba gjithçka”, është shprehur ai për mediat greke.

Trupi i së resë ndërkohë është dërguar për autopsi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)