Stuhia e fuqishme Erminio ka goditur disa zona të Greqisë, duke shkaktuar përmbytje të shumta dhe dëme të konsiderueshme, ndërsa një person ka humbur jetën.
Ngjarja tragjike ndodhi në zonën e Nea Makri, ku një burrë rreth 50 vjeç u mor nga rrjedha e ujit teksa përpiqej të largohej nga një bodrum i përmbytur. Sipas autoriteteve, ai mbeti i bllokuar nën një automjet që u zhvendos nga forca e madhe e ujit.
Shërbimi zjarrfikës ka qenë në gatishmëri të plotë, duke marrë rreth 400 thirrje vetëm në rajonin e Atikës. Këto ndërhyrje kanë përfshirë kryesisht largimin e ujit nga banesat e përmbytura dhe pastrimin e rrugëve nga pemët e rrëzuara.
Problemet më të mëdha janë raportuar në zonat verilindore të Atikës, si Dionisos, Pikermi, Maraton dhe Nea Makri, ku ekipet kanë punuar për rikthimin e qarkullimit dhe eliminimin e rreziqeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi kushtet e pafavorshme atmosferike pritet të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)