Finlanda ka vendosur të aktivizojë pjesërisht rezervistët e saj të ushtrisë, pas rritjes së tensioneve në rajon dhe incidenteve me dronë që kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit.
Sipas autoriteteve finlandeze, në fund të marsit dhe fillim të prillit janë zbuluar katër dronë luftarakë në juglindje të vendit, të cilët dyshohet se kanë hyrë në territor gjatë sulmeve të Ukrainës ndaj objekteve strategjike ruse në Gjirin e Finlandës. Këto incidente kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe integritetin territorial të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, bëri të ditur se thirrja e rezervistëve do të kryhet në kuadër të stërvitjeve trajnuese, por theksoi se është hera e parë që këto ushtrime lidhen drejtpërdrejt me situata të tilla sigurie. Autoritetet nuk do të publikojnë detaje mbi vendndodhjen dhe natyrën e këtyre operacioneve.
Ndërkohë, në javët e fundit është raportuar për një intensifikim të sulmeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse, veçanërisht në portet strategjike si Ust-Luga, Primorsk dhe Vysock, që janë kyçe për eksportin e naftës dhe gazit. Sulmet janë kryer kryesisht me dronë, duke shkaktuar dëme në depo karburanti dhe terminale LNG, si dhe ndërprerje të përkohshme të aktivitetit.
Finlanda, e cila mbështetet në një sistem të gjerë rezervistësh, ka një kapacitet mobilizimi deri në 280 mijë trupa në kohë lufte, ndërsa rezerva aktuale arrin rreth 870 mijë qytetarë. Me ndryshimet ligjore të fundit, kjo shifër pritet të rritet në afro një milion deri në vitin 2031.
Pas incidenteve, forcat ajrore dhe detare finlandeze kanë shtuar patrullimet, duke rritur masat për mbrojtjen e territorit dhe monitorimin e hapësirës ajrore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)