Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, pritet të nisë udhëtimin drejt Islamabadit deri të martën në mëngjes me orën amerikane (pasdite me orën shqiptare). Ai do të jetë në negociatat me me Iranin, lidhur me një marrëveshje të mundshme që synon përfundimin e luftës.
Lajmi raportohet nga “Axios”, duke iu referuar tre burimeve amerikane. Sipas të njëjtit burim, arritja e një marrëveshjeje të plotë brenda një afati kaq të shkurtër konsiderohet e vështirë, por presidenti Donald Trump mund të pranojë edhe shtyrjen e afatit të armëpushimit, nëse në negociata ka sinjale progresi.
Trump raportohet se i ka shtuar edhe një ditë më tepër afatit dyjavor të armëpushimit, duke e zhvendosur atë deri të mërkurën në mbrëmje. Ndërkohë, “Axios” shkruan se Shtëpia e Bardhë ka kaluar të gjithë ditën e hënë duke pritur një sinjal nga Teherani, që të tregonte gatishmërinë për të dërguar ekipin negociator në Islamabad.
Një burim i informuar ka bërë të ditur se pala iraniane po vonohej për shkak të presionit të ushtruar nga Garda Revolucionare, e cila kërkonte një qëndrim më të fortë: asnjë bisedim pa përfundimin e bllokadës amerikane. Sipas raportimit, ndërmjetësues nga Pakistani, Egjipti dhe Turqia i kanë kërkuar Iranit të marrë pjesë në takim.
Në situatën e krijuar, delegacioni iranian po priste miratimin përfundimtar nga udhëheqja supreme. “Axios” shton se autorizimi për nisjen e delegacionit iranian drejt Islamabadit është dhënë mbrëmjen e së hënës nga Mojtaba Khamenei.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)