Sipas një analize të “Washington Post”, mundësia e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën po afrohet, ndërsa administrata Trump dhe Kievi po diskutojnë një paketë prej tre dokumentesh: planin e paqes, garancitë e sigurisë dhe planin e rimëkëmbjes ekonomike. Në total janë 7 pika kryesore të paketës së propozuar. Të dërguarit e Trump, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, po përpiqen të ndërtojnë një kompromis që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund t’ia paraqesë vendit të tij “të guximshëm, por të lodhur nga lufta”.
1. Anëtarësimi i Ukrainës në BE
Ukraina mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian prej vitit 2027. Disa shtete anëtare e shohin afatin si të parakohshëm, por administrata Trump beson se mund të kapërcejë kundërshtimin, veçanërisht nga Hungaria. Ky hap do të nxitë tregtinë, investimet dhe reformat kundër korrupsionit në Ukrainë - një zhvillim që Moska e kundërshton fort.
2. Garanci sigurie “si Neni 5”
Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s. Por, SHBA-të do të ofronin garanci të detyrueshme sigurie në rast se Rusia shkel marrëveshjen. Kievi kërkon dy marrëveshje të veçanta: një të firmosur nga presidenti amerikan dhe ratifikuar nga Kongresi, dhe një të dytë me vendet europiane. Mbështetja e inteligjencës amerikane do të vazhdojë.
3. Sovraniteti dhe kapaciteti ushtarak
Dokumenti konfirmon sovranitetin e Ukrainës, por diskutimet vijojnë për kapacitetin e forcave të armatosura. Nga 600 mijë trupa në draftin fillestar, ukrainasit kërkuan 800 mijë. Moska kërkon kufizim kushtetues të numrit të ushtarëve, diçka që Kievi e refuzon. Një mundësi është ndarja midis ushtrisë aktive dhe forcave rezervë sipas stilit amerikan.
4. Zonë e demilitarizuar
Një zonë e gjerë demilitarizimi përgjatë vijës së armëpushimit — nga Donetsk te Zaporizhzhia dhe Kherson — do të monitorohej në mënyrë të ngjashme si në rastin e kufirit mes dy Koreve.
5. Çështjet territoriale
Pika më e debatueshme: Rusia kërkon që Ukraina të heqë dorë nga 25% e territorit të Donetskut që akoma mban nën kontroll. Ekipi i Trump ka lënë të kuptohet se Kievi mund ta humbasë gjithsesi këtë zonë në muajt e ardhshëm, por Zelensky është kundër çdo lëshimi territorial. Si alternativë, Uashingtoni ka propozuar që zona të mbetet e demilitarizuar.
6. Uzina bërthamore e Zaporizhzhia-s
Centrali nuk do të jetë më nën kontroll rus. Një opsion është administrimi i tij nga një kompani amerikane, ku Ukraina do të përfitojë 50% të energjisë së prodhuar. Ukraina e mbështet këtë ide, duke e parë si mekanizëm sigurie kundër agresioneve të ardhshme.
7. Rimëkëmbja ekonomike
Trump synon të përdorë një pjesë të më shumë se 200 miliardë dollarëve të aseteve ruse të ngrira në Europë për financimin e rindërtimit. Administrata është në bisedime me Larry Fink të BlackRock për një Fond Zhvillimi për Ukrainën, potencialisht deri në 400 miliardë dollarë, me përfshirjen e Bankës Botërore. Trump gjithashtu synon investime edhe në Rusi, duke rikthyer filozofinë e tij: “bëni biznes, jo luftë”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)