Pas më shumë se dhjetë vitesh jashtë funksionit, tubacioni Selanik–Shkup pritet të vihet sërish në përdorim deri në fund të këtij viti, duke mundësuar transportin e derivateve të përpunuara të naftës nga Greqia drejt Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e konfirmoi kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili tha se procedurat teknike janë drejt përfundimit dhe se pas testeve të presionit dhe lëshimit të lejes për përdorim, tubacioni do të nisë punën.
“Po i realizojmë të gjitha hapat që ky tubacion, i cili për vite ishte i konservuar, të vihet në funksion. Pres që këtë vit të fillojë transporti i karburanteve”, deklaroi Mickoski.
Tubacioni, i ndërtuar në vitin 2002 si pjesë e marrëveshjes për blerjen e rafinerisë OKTA nga kompania greke “Hellenic Petroleum”, do të funksionojë tani si produktsjellës, pasi do të transportojë vetëm derivate të përpunuara dhe jo naftë të papërpunuar.
Gypat janë rreth 213 kilometra të gjatë dhe kanë kapacitet për të transportuar deri në 2.5 milionë tonë karburant në vit nga terminalet greke në Selanik deri në Shkup. Sipas marrëveshjes, kostoja e transportit do të jetë 20 euro për ton.
Nëse tubacioni shfrytëzohet me kapacitet të plotë, të ardhurat vjetore nga transporti mund të arrijnë rreth 50 milionë euro. Këto të ardhura do të ndahen mes kompanisë greke “Hellenic Petroleum”, e cila zotëron 80 për qind të aksioneve, dhe shtetit maqedonas, që përmes ndërmarrjes “Naftovod” ka 20 për qind.
Autoritetet theksojnë se ky projekt do të sjellë transport më të lirë dhe më të sigurt të karburanteve, duke ulur varësinë nga kamionët dhe cisternat, si dhe duke rritur sigurinë energjetike të vendit.
Megjithatë, riaktivizimi i tubacionit ka nxitur edhe polemika politike, me pretendime se ai mund të përdoret për furnizimin e tregjeve të tjera rajonale. Kryeministri Mickoski i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se roli i Qeverisë është vetëm krijimi i kushteve infrastrukturore dhe ligjore, ndërsa operacionet tregtare i kryejnë kompanitë private.
Tubacioni Selanik–Shkup ishte nxjerrë jashtë përdorimit në vitin 2013, pasi rafineria OKTA ndaloi përpunimin e naftës, duke çuar në një sërë mosmarrëveshjesh ligjore mes shtetit dhe kompanisë greke, të cilat përfunduan me dëmshpërblime milionëshe për Maqedoninë e Veriut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)