Vrasja e Liridona Ademajt, dënim maksimal për Murselin dhe Plavën

Burgim të përjetshëm ka dhënë Gjykata e Prishtinës për Naim Murselin, porositësin e vrasjes së Liridona Ademit, bashkëshortes së tij.

21.04.2026. 13:56

Vrasja e Liridona Ademajt, dënim maksimal për Murselin dhe Plavën

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për një nga rastet më të rënda kriminale të viteve të fundit ka vulosur dënime maksimale për tre të akuzuarit në vrasjen e Liridona Ademajt, një ngjarje që tronditi opinionin publik në Kosovë.

Departamenti për Krime të Rënda shpalli fajtor Naim Murselin për “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. I njëjti dënim u dha edhe për të akuzuarin tjetër, Granit Plava, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vite burg për “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

Në seancën e shpalljes së aktgjykimit nuk ishin të pranishëm të akuzuarit, ndërsa në sallë ndodheshin babai dhe vëllai i Liridonës.

Gjatë procesit gjyqësor, prokurorja Javorka Perlinqeviq kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit, duke theksuar se provat kanë vërtetuar planifikimin e vrasjes nga ana e Naim Murselit. Ajo deklaroi se motivi lidhej me raportet bashkëshortore dhe përfitime financiare, duke përmendur edhe një policë sigurimi jetësor në emër të viktimës.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar që në muajin qershor 2022, familja Murseli ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Murselit”, ndërsa shtoi se menjëherë pas kësaj, Murseli kishte kërkuar mënyra për eliminimin e saj.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit kishin arritur marrëveshje që vrasja të kryhej nga Granit Plava, për një shumë prej 30 mijë eurosh. Prokuroria argumentoi se ngjarja ishte e planifikuar paraprakisht dhe u realizua në prani të fëmijëve të mitur të viktimës, të cilët në atë kohë ishin vetëm 4 dhe 6 vjeç.

Nga ana tjetër, në seancën e fundit, Murseli mohoi disa nga pretendimet, përfshirë ato që lidhen me raportet me fëmijët, duke thënë se mungesa e komunikimit vinte si pasojë e paraburgimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)