Një sistem planetar i pazakontë është zbuluar nga teleskopi hapësinor europian Cheops, duke sfiduar modelin tradicional që njohim për Sistemin Diellor. Ndryshe nga rregulli i zakonshëm, ku planetët shkëmborë ndodhen më afër yllit dhe gjigantët me gaz ndodhen më larg, ky sistem ka planetë shkëmborë edhe në skajet e jashtme.
Zbulimi, i botuar në revistën “Science”, u drejtua nga Universiteti i Warwick në Britani. Sistemi i katër planetëve rrotullohet rreth yllit LHS 1903, një yll i ftohtë dhe i dobët. Një planet shkëmbor ndodhet pranë yllit, dy të tjerë janë gjigantë me gaz dhe surpriza e madhe ishte planeti i katërt, më i jashtmi i cili është gjithashtu një tjetër planet shkëmbor.
Astronomët kanë përjashtuar mundësinë që planetët të jenë zhvendosur pas formimit ose që planeti i jashtëm të ketë humbur atmosferën nga një përplasje. Të dhënat sugjerojnë se planetët nuk u formuan njëkohësisht, por njëri pas tjetrit, duke filluar nga më i brendshmi. Siç shpjegon Thomas Wilson, drejtues i studimit, planeti i jashtëm u formua kur sistemi kishte konsumuar pjesën më të madhe të gazit, një rrethanë që zakonisht pengon formimin e botëve shkëmbore.
“Ky është shembulli i parë i një planeti që lind në një ambient të varfër me gaz”, deklaroi Wilson, duke theksuar se zbulimi mund të rishkruajë njohuritë tona mbi formimin e planetëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)