Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh nga Instituti i Shkencave Weizmann ka zbuluar se Jupiteri, planeti më i madh i sistemit diellor, është pak më i vogël dhe më i sheshtë nga sa besohej për dekada me radhë. Zbulimi u bë i mundur falë të dhënave të mbledhura nga sonda hapësinore Juno e NASA-s, e cila studion gjigantin me gaz që prej vitit 2016.
Matjet e mëparshme bazoheshin në të dhëna të kufizuara nga misionet Voyager dhe Pioneer, të realizuara gati 50 vite më parë. Por analiza e mënyrës se si sinjalet radio të Juno-s devijohen gjatë kalimit nëpër atmosferën e dendur të Jupiterit ka mundësuar matje shumë më të sakta.
Sipas studimit të publikuar në revistën Nature Astronomy, diametri ekuatorial i Jupiterit rezulton rreth 8 kilometra më i vogël, ndërsa diametri polar rreth 24 kilometra më i vogwl nga sa mendohej. Kjo tregon se planeti është më i sheshtë, për shkak të rrotullimit të shpejtë dhe erërave të fuqishme atmosferike që ndikojnë në formën e tij.
“Kalimi i Juno-s pas Jupiterit na lejon të realizojmë matje jashtëzakonisht të sakta”, shpjegon Dr. Scott J. Bolton, drejtues i misionit. Ndërsa Yohai Kaspi, drejtori i studimit, thekson se “librat e shkollës do të duhet të përditësohen”.
Këto të dhëna ndihmojnë në kuptimin më të thellë të strukturës së brendshme të Jupiterit dhe në studimin e formimit të planetëve gjigantë, duke hedhur dritë mbi origjinën dhe evolucionin e sistemit diellor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)