Pirja e dy deri në tre filxhanëve me kafe, ose një deri në dy filxhanë çaj, mund të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës me rreth 18% dhe të ngadalësojë rënien e funksioneve njohëse të trurit. Këtë përfundim ka nxjerrë një studim i gjerë i publikuar në revistën shkencore “JAMA”. Studimi u krye nga studiues të Universitetit Harvard dhe spitali Mass General Brigham në Boston.
Studimi ka analizuar të dhënat e afro 132 mijë personave, të cilët janë vëzhguar për një periudhë deri në 43 vite. Gjatë këtij afati kohor janë vlerësuar zakonet ushqimore, funksioni njohës dhe shfaqja e demencës. Gjatë periudhës së ndjekjes, rreth 11 mijë persona pjesëmarrës zhvilluan demencë.
Rezultatet tregojnë se burrat dhe gratë që konsumonin më shumë kafe kishin rrezik 18% më të ulët për demencë krahasuar me ata që konsumonin pak ose aspak kafe. Ata shfaqnin gjithashtu më pak rënie subjektive të kujtesës dhe performancë më të mirë në testet e funksionit njohës. Efekte të ngjashme u vunë re edhe te konsumatorët e çajit.
Ndryshe nga kafeja tradicionale, kafeja pa kafeinë nuk tregoi përfitime të ngjashme. Ky është tregues se kafeina është faktori kryesor që ka efekte mbrojtëse të neuroneve. Studiuesit theksojnë se përfitimet ishin më të dukshme te ata që konsumonin sasinë e moderuar ditore dhe se efektet pozitive u konstatuan edhe te personat me predispozitë të lartë gjenetike për demencë.
Sipas ekspertëve, duke qenë një produkt që konsumohet përditë nga miliona njerëz, kafeja mund të shërbejë si një ndërhyrje e thjeshtë ushqimore në parandalimin e demencës. Gjithsesi, ajo duhet të kombinohet me stile të tjera të jetesës së shëndetshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)