Një incident i rëndë ka shkaktuar panik në një fluturim të skuadrës argjentinase, pasi një futbollist u arrestua dhe u nxor nga avioni me pranga pas dyshimeve për një kërcënim me bombë.
Ngjarja ka ndodhur në aeroportin Gobernador Horacio Guzman, në momentin kur skuadra e Gimnasia y Esgrima de Jujuy po përgatitej të udhëtonte drejt Buenos Aires për ndeshjen ndaj Agropecuario. Sipas raportimeve, 32-vjeçari Jesús David Emiliano Endrizzi dyshohet se ka bërtitur fjalën “bomb” pak para ngritjes së avionit.
Menjëherë pas incidentit, autoritetet aktivizuan protokollet e sigurisë dhe gjithë pasagjerët u evakuuan nga avioni, ndërsa njësitë e sigurisë kontrolluan imtësisht mjetin fluturues. Policia e sigurisë aeroportuale PSA ndërhyri dhe futbollisti u shoqërua i prangosur.
Fluturimi FO5181 i kompanisë Flybondi u vonua, ndërsa incidenti shkaktoi ndërprerje dhe vonesa për më shumë se 1,200 pasagjerë. Linja ajrore deklaroi se ky ishte rasti i dytë i ngjashëm brenda 48 orëve dhe nuk përjashtoi masa ligjore ndaj përgjegjësve.
Klubi Gimnasia y Esgrima de Jujuy ka deklaruar se po bashkëpunon me hetimet dhe po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së kontratës së lojtarit. Endrizzi, i cili raportohet se ka vlerë rreth 240 mijë paund dhe është blerë në vitin 2023 për rreth 150 mijë paund, mund të përballet me përjashtim nga ekipi.
Drejtuesit e klubit kanë theksuar se situata nuk mund të trajtohet si shaka, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kërcënimeve të tilla.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)