Anija cisternë e Teheranit çan bllokadën amerikane në Hormuz, Irani kërcënon nëse shkelet armëpushimi

Komandanti i Komandës Khatamolanbia, Ali Abdollahi ka deklaruar se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme të reagojnë ndaj çdo shkeljeje të angazhimeve nga ana e SHBA-ve.

21.04.2026. 11:37

Anija cisternë e Teheranit çan bllokadën amerikane në Hormuz, Irani kërcënon nëse shkelet armëpushimi

Mediat në Gjirin Persik kanë raportuar se një anije cisternë është rikthyer në Iran përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht bllokadës detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, e cila njihet për bashkëpunimin me Gardën Revolucionare (Pasdaranët), petroliera pritet të mbërrijë ditën e nesërme në ishullin Kharg.

Ajo do të ankorohet në atë që është një prej pikave kryesore të eksportit të naftës së Teheranit. Raportohet se anija ishte nisur nga Irani në fund të muajit mars drejt arkipelagut Riau në Indonezi, ku ka shkarkuar rreth dy milionë fuçi naftë bruto.

Foto ilustruese

Ndërkohë, komandanti i Komandës Khatamolanbia, Ali Abdollahi ka deklaruar se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme të reagojnë ndaj çdo shkeljeje të angazhimeve nga ana e SHBA-ve. Ai theksoi se Irani do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj çdo shkeljeje të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi me Shtetet e Bashkuara.

“Forcat e armatosura iraniane, me epërsinë e tyre nuk do t’i lejojnë presidentit amerikan, gënjeshtar dhe të mashtruar, të shfrytëzojë situatën dhe të krijojë narrativa të rreme për situatën e luftës... veçanërisht lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit”, është shprehur Abdollahi, i cituar nga Tasnim.

“Irani është gati të japë një përgjigje të vendosur, të menjëhershme dhe të prerë ndaj kërcënimeve dhe veprimeve të armikut”, ka shtuar ai, në një deklaratë të bërë me rastin e përvjetorit të themelimit të Gardës Revolucionare, pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)