Aleanca Shqipëri-Kroaci-Kosovë, Vuçiç: Do rrisim shpenzimet në mbrojtje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç shprehu shqetësim për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë dhe paralajmëroi rritje të investimeve ushtarake në vend.

Burimi: REL

13.02.2026. 22:05

Aleanca Shqipëri-Kroaci-Kosovë, Vuçiç: Do rrisim shpenzimet në mbrojtje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu shqetësimin e tij për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë fjalës së tij në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Lideri serb theksoi se ende nuk ka marrë përgjigje për arsyet e formimit të kësaj aleance dhe paralajmëroi se Serbia do të rrisë ndjeshëm investimet në mbrojtje.

“Formimi i kësaj aleance e rrit seriozisht rrezikun për ne. Do të marr pjesë në kolegjiumin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të vizitoj fabrikat e industrisë ushtarake. Një pjesë e madhe e prodhimit, 30 deri në 40 për qind, do t’i dedikohet direkt Serbisë,” tha Vuçiç.

Ai e përshkroi deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes tre vendeve si “një aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër Serbisë”.

Në mars të vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë dhe mbrojtjen dhe ministrat e mbrojtjes të tri vendeve kanë zhvilluar takime për zbatimin e saj. Sipas planeve, gjatë këtij viti pritet të zhvillohet edhe stërvitja e parë e përbashkët ushtarake.

Në Mynih, Vuçiç u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili shprehu shqetësimet e Brukselit për ligjet e fundit në Serbi, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi.

Presidenti serb njoftoi se gjatë gjysmës së parë të vitit do të vizitojë Pekinin për t’u takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, duke forcuar kështu lidhjet diplomatike ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)