Qendra e emigrantëve në Gjadër, HRW denoncon Italinë: Përdor masa represive

Italia ka ndjekur politika represive ndaj emigrantëve, duke përfshirë ndalimin e tyre jashtë vendit. Kështu thuhet në raportin e fundit të Human Rights Watch i cili përmend dhe Kampin e Gjadrit.

Burimi: Tgcom

04.02.2026. 09:24

Qendra e emigrantëve në Gjadër, HRW denoncon Italinë: Përdor masa represive

Organizata Human Rights Watch ka kritikuar ashpër Italinë për mënyrën se si po menaxhon emigracionin, duke paralajmëruar se politikat aktuale po çojnë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Në raportin e saj vjetor, organizata thekson se Italia ka zbatuar masa gjithnjë e më represive, duke përfshirë ndalimin e emigrantëve jashtë territorit të saj si në rastin e kampit në Gjadër dhe kufizimin e veprimtarisë së organizatave humanitare në Mesdhe.

Sipas HRW, autoritetet italiane kanë dështuar të respektojnë detyrimet ndërkombëtare duke mos vepruar ndaj një urdhër-arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për një zyrtar libian të dyshuar për krime kundër njerëzimit. Ky veprim, sipas organizatës, minon përpjekjet globale për drejtësi dhe llogaridhënie.

Kritika të forta i drejtohen edhe Bashkimit Evropian, i cili akuzohet se ka përqendruar politikat e tij në ndalimin e migracionit “me çdo kusht”.

Human Rights Watch vlerëson se strategjia e delegimit të kontrollit të kufijve te vendet e treta ka sjellë pasoja të rënda humanitare dhe ka dëmtuar kredibilitetin e BE-së në mbrojtjen e të drejtave themelore.

Në raport theksohet gjithashtu se brenda Unionit po rriten racizmi dhe diskriminimi, të nxitura nga normalizimi i diskurseve ekstremiste, ndërsa institucionet evropiane po tregohen të pafuqishme përballë shkeljeve të shtetit të së drejtës në disa vende anëtare.

Human Rights Watch u bën thirrje qeverive evropiane të rishikojnë politikat e emigracionit, të forcojnë mekanizmat e llogaridhënies dhe të vendosin mbrojtjen e të drejtave të njeriut në qendër të vendimmarrjes politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)