Pas ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura brenda burgut të Koridhalos, ku u vra me thikë shqiptari Jani Aliaj, autoritetet greke janë vënë në lëvizje duke zhvilluar një operacion të gjerë sigurie në ambientet e institucionit penitenciar.
Operacioni u krye nga Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar, me pjesëmarrjen e njësive të specializuara të policisë, përfshirë forcat antiterroriste dhe një qen policor. Gjatë ndërhyrjes u kontrolluan 10 qeli, 3 ambiente të Deposë Qendrore të Burgjeve dhe 31 të burgosur.
Nga kontrollet, autoritetet konstatuan dhe sekuestruan drogë, telefonë dhe karikues.
Sipas policisë greke ndaj dy të burgosurve u ngritën padi penale për posedim të telefonave celularë, ndërsa kombësitë e tyre nuk u bënë publike. Dosja e plotë e çështjes do t’i përcillet autoriteteve përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë, me qëllim forcimin e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të dhunshme brenda një prej burgjeve më të njohura dhe problematike të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)