Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se nuk do të rikandidojë për drejtimin e partisë në zgjedhjet e ardhshme. Vendimi u bë publik pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ku u konfirmua se procesi zgjedhor brenda partisë do të zhvillohet nga 20 shkurti deri më 6 qershor.
Haradinaj theksoi se një ndër arsyet kryesore të tërheqjes është koha e gjatë në krye të partisë, që prej themelimit të saj në maj të vitit 2000. Ai përmendi gjithashtu rezultatet jo të kënaqshme në dy proceset e fundit zgjedhore, më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025, ku AAK arriti të sigurojë gjashtë mandate në Kuvendin e Kosovës.
Deri më tani, kandidaturën për drejtimin e partisë e ka shpallur Ardian Gjini, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e garës edhe nga emra të tjerë.
I pyetur për një kandidim të mundshëm për president, Haradinaj e mohoi këtë mundësi, duke shtuar se AAK ende nuk ka marrë një qëndrim për mbështetjen e një mandati të dytë për Vjosa Osmanin.
Haradinaj aktualisht është deputet i legjislaturës së dhjetë dhe më herët ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)