Zgjidhet qeveria e re në Kosovë, Albin Kurti kryeministër

Albin Kurti është zgjedhur kryeministri i ri i Kosovës. Kuvendi i konstituuar votoi me 66 vota pro dhe 49 kundër, kabinetin e ri qeveritar. Ndërkohë më herët në krye të Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu.

11.02.2026. 22:32

Zgjidhet qeveria e re në Kosovë, Albin Kurti kryeministër

Kosova më në fund ka një qeveri të re, e cila do të drejtohet sërish nga Kryeministri Albin Kurti.

Në seancën e jashtëzakonshme me dy pjesë, ku në fillim u konstituua Kuvendi dhe u zgjodh kryetarja Albulena Haxhiu, Albin Kurti dhe kabineti i tij qeveritar morën 66 vota pro, 44 kundër.

Me këtë votim merr fund dhe një krizë e tejzgjatur politike në Kosovë, e cila çoi vendin sërish në zgjedhje në fund të dhjetorit, ku Vetëvendosja e Kurtit mori një fitore shumë të madhe.

Lideri i Vetëvendosjes duket se nuk ka zgjedhur të bëjë ndryshime rrënjësore në kabinet, pasi pothuajse të gjithë emrat janë ata që i kishte propozuar edhe në vjeshtën e vitit 2025.

Ai ka zgjedhur t’i besojë sërish disa prej emrave të njohur të qeverisjes së kaluar, si Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Ejup Maqedonci, Xhelal Sveçla e Artane Rizvanolli.

Një risi në qeverinë “Kurti 3” do të jetë ish-kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit i besohet udhëheqja e Ministrisë së Jashtme, ndërsa ish-kryedepilomatja Donika Gërvalla do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.

Në qeveri hyn edhe një tjetër aleate, pasi kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila do të jetë ministrja e Tregtisë.

Kabineti qeveritar:

Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm – Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave – Fikrim Damka

Ministër i Financave – Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit – Lulzon Jaxhiu

Ministër i Shëndetësisë  – Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës– Hajrullah Çeku

Ministër i Kulturës – Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit – Blerim Gashani

Ministër Administrimit të Pushtetit Lokal –Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës – Dimal Basha

Ministre e Tregtisë – Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Rasim Demiri

Gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, Albin Kurti e vuri theksin te zhvillimi ekonomik, rritja e mirëqenies sociale dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Kurti theksoi se energjia do të jetë një nga shtyllat kryesore të mandatit të ri. Ai premtoi investime të mëdha në energji të ripërtërishme dhe në shfrytëzimin e burimeve ujore, si dhe zhvillimin e industrisë së prodhimit në vend, me qëllim rritjen e kapaciteteve vendore dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në aspektin social, ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes për punësimin e grave dhe rolin e gjyshërve në kujdesin ndaj fëmijëve. Sipas tij, paga minimale do të rritet në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit.

Sa i përket arsimit, Kurti paralajmëroi vazhdimin e reformave dhe lidhjen më të ngushtë të programeve arsimore me nevojat e tregut të punës. Ai bëri të ditur se do të rritet mbështetja për edukimin e hershëm dhe do të nisë sistemi i bonove për prindërit që regjistrojnë fëmijët në çerdhe jopublike. Gjithashtu, është planifikuar hapja e pesë gjimnazeve të specializuara në mbarë vendin.

Në sektorin e shëndetësisë, Kurti premtoi se çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe do t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor vjetor brenda vitit. Ai njoftoi ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, si dhe rritjen e buxhetit për listën e barnave me 100 milionë euro.

Mbështetje do të ketë edhe për sektorin e bujqësisë, ku Kurti garantoi treg për çdo prodhim të standardizuar dhe të certifikuar. Po ashtu, ai premtoi investime në infrastrukturën sportive, duke përfshirë rinovimin e stadiumeve të futbollit në të gjithë vendin.

Me këto zotime, Kurti tha se synon ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe një shteti që u shërben më mirë qytetarëve të tij.

Më herët Kuvendi zgjodhi me 66 vota dhe 44 kundër Albulena Haxhiun si kryetaren e Kuvendit dhe 5 nënkryetarët, përfshirë atë nga pakicat.

Sipas numrit të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 dhe Lista Serbe 9. Ndëkohë deputetë kanë edhe subjektet e tjera më të vogla politike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)