Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare

Është konstituuar Kuvendi i ri i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kryetare e tij është zgjedhur Albulena Haxhiu.

11.02.2026. 18:19

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare

Në një seancë që zgjati për rreth 1 orë, është konstituuar dhe Kuvendi i ri i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i dhënë kështu fund dhe krizës politike në vend që çoi qytetarët edhe njëherë në kutitë e votimit.

Pas ngritjes së komisionit për verifikimin e mandateve dhe betimit të deputetëve, me 66 vota pro dhe 44 kundër, Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes u zgjodh kryetarja e re e Kuvendit.

Në fjalën e saj pas këtij votimi, Haxhiu premtoi se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve.

 “Të jesh në krye të Kuvendit do të thotë t'i shërbesh Republikës. Kuvendi është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë. Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Kemi dallime, por përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”, theksoi Haxhiu.

Më pas, në paketë, me 104 vota pro, u zgjodhën dhe 5 nënkryetarët Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës,  Sllvako Simiq - Lista Serbe dhe Emillija Rexhepi nga komunitetet pakicë joserbe.

Seanca konstituive e Kuvendit u drejtua nga deputeti më i vjetër Avni Dehari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)