180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Albin Kurti: Po rrezikohet të deformohet e vërteta

Albin Kurti e cilëson një tentativë për të shtrembëruar të vërtetën pretencën e Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila sipas tij shkëput veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

09.02.2026. 22:55

180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Albin Kurti: Po rrezikohet të deformohet e vërteta

Po rrezikohet të deformohet e vërteta. Këto janë fjalët e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me pretencën e Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila kërkoi në total 180 vite burg për 4 ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shton se UÇK nuk sulmoi asnjë popull apo civil, por mbrojti vendin nga okupimi i egër.

”Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, shkruan Kurti.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)