Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar e indinjuar pas pretencës së Prokurorisë në Hagë, e cila kërkoi 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e UÇK që po gjykohen nga dhomat speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas Osmanit, pretenca e prokurores Kimberly Ëest ishte një përpjekje për të barazuar UÇK me agresorët.
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, shkruan Osmani.
Mes të tjerash presidentja Osmani bëri thirrje për drejtësi dhe theksoi rëndësinë që ka ruajtja e të vërtetës historike.
“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, shprehet Osmani.
Procesi gjyqësor në Hagë, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazat e fundit. Në seancën e fjalës përfundimtare, prokurorja e specializuar Kimberly West kërkoi 45 vjet burg për secilin nga katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por prokurorja ka pretenduar se në kampet e ndalimit janë vrarë 100 persona dhe dhjetëra të tjerë janë abuzuar.
“Për të gjitha pikat e aktakuzës, zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon një vendim të vetëm prej 45 viteve burg. Kjo mbështetet në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha West.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)