Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryeprokurorja Kimberly West ka dhënë pretencën për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

09.02.2026. 11:19

Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Procesi gjyqësor në Hagë, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazat e fundit. Në seancën e fjalës përfundimtare, prokurorja e specializuar Kimberly West kërkoi 45 vjet burg për secilin nga katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por prokurorja ka pretenduar se në kampet e ndalimit janë vrarë 100 persona dhe dhjetëra të tjerë janë abuzuar.

“Për të gjitha pikat e aktakuzës, zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon një vendim të vetëm prej 45 viteve burg. Kjo mbështetet në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha West.

Sipas saj, përgjegjësia do të jetë për individët dhe jo për Shtabin e UÇK-së. “Kërkohet dënimi i personave konkretë, jo për Shtabin e Përgjithshëm. Dënimet që kërkohen mbështeten në kontributet individuale të kryera prej secilit”, shtoi prokurorja.

Duke cituar dëshmitë e dhëna, prokurori Alan Tieger në anën tjetër theksoi se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të luftës së UÇK-së. Sipas tij, Thaçi lidhi luftëtarët në Kosovë me planifikuesit në mërgim, ndërkohë për Rexhep Selimin tha se ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet kundër forcave serbe në vitin 1997.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)