Tentativa për të hyrë në Kosovë me një shumë të konsiderueshme parash në valutë nuk i ka rezultuar e suksseshme një mërgimtari. Ai është ndalur në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, ku gjatë kontrollit zyrtarët doganorë ia kanë gjetur dhe sekuestruar paratë e padeklaruara.
Sipas njoftimit, gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik, zyrtarët kanë zbuluar në trupin e udhëtarit, të fshehura në çorape, 8 mijë paund britanik, përveç një shume tjetër që ai mbante me vete.
Në total, shuma e sekuestruar ishte 9,300 paund britanik, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit kap vlerën prej 10,611.59 euro.
Për këtë shkelje, ndaj udhëtarit është shqiptuar një masë administrative në vlerë prej 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Rasti është referuar edhe te sektori i Hetimeve për trajtim dhe procedim të mëtejshëm ligjor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)