Djali i Frank Watrous Hamilton po akuzon profesoreshën e Psikiatrisë në Universitetin e Kolumbias, Maria Karagiorgou, se i ka mashtruar të atin e tij, duke i marrë 1.3 milion dollarë për të blerë një shtëpi në Greqi.
Sipas padisë së ngritur kundër profesoreshës në gjykatën e Manhattanit, 72-vjeçari Hamilton ishte vulnerabil, pas një goditjeje në tru në vitin 2018, “e cila pati një efekt dobësues në shëndetin e tij mendor dhe fizik”.
Edhe pse është e paqartë se si Maria Karagiorgou u takua me Hamiltonin, djali i tij e akuzon atë se e ka kuptuar se “ai ishte një burrë i dobët, i çorientuar dhe i moshuar” përpara se të fillonte një marrëdhënie intime kur u takuan në vitin 2021 ose 2022.
“Dr. Karagiorgou u integrua në jetën e Hamilton për të shfrytëzuar gjendjen e tij të dobët, për të fituar besimin e tij dhe për ta manipuluar atë, me qëllim që t’i merrte pasuritë e tij për përfitimin e saj”, pretendon familja e 72-vjeçarit .
Hamilton, baba i dy fëmijëve, kishte një karrierë gati 50-vjeçare në Wall Street dhe shërbeu si drejtues në firmën e shërbimeve financiare Promontory Interfinancial Network, e cila më vonë u bë e njohur si IntraFi.
“Kurthi” i dyshuar i diferencës në moshë u krijua, sipas familjes së 72-vjeçarit, me Karagiorgou, atëherë 57 vjeç, që fluturoi nga Nju Jorku në Florida për të kaluar festat e dhe dy ditëlindjet e saj me të. Gjatë disa prej këtyre tubimeve shoqërore, Hamilton i referohej Karagiorgou-t si e fejuara ose gruaja e tij.
Në të njëjtën kohë, pretendon familja e 72-vjeçarit, e dyshuara kishte në sy një shtëpi në Athinë dhe i kërkonte vazhdimisht Hamiltonit të paguante faturën.
Brenda pak muajsh, Hamilton dërgoi fillimisht 100,000 dollarë më 4 prill 2022, dhe më pas 1.2 milion dollarë më 18 maj 2022, për blerjen e shtëpisë me vlerë 1.3 milion dollarë në kryeqytetin grek.
Sipas padisë, megjithëse kishte një marrëveshje të pathënë për të blerë shtëpinë në emrat e të dyve, Karagiorgou ishte e listuar si pronare e vetme përpara se ajo më pas të ndërpriste kontaktin me Hamilton. Transfertat bankare u zbuluan nga një avokat i familjes Hamilton pas vdekjes së 72-vjeçarit më 26 janar 2025.
Familja e Hamilton akuzon profesoreshën e Universitetit të Columbia-s për "shfrytëzimin e qëllimshëm të dobësive të babait dhe përdorimin e pozicionit të saj të besimit dhe sigurisë për ta ndikuar atë".
Sipas New York Post, Karagiorgou është Drejtoreshë e Asociuar e Divizionit të Gjenetikës Mjekësore në Departamentin e Psikiatrisë në Morningside Heights dhe duket se zotëron një shtëpi prej 1.7 milion dollarësh në lagjen luksoze Riverdale të Bronxit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)