Qytetarë të shumtë kanë protestuar edhe këtë të premte, për të dytën ditë radhazi, para Bashkisë së Durrësit, të revoltuar pas përmbytjeve të rënda që goditën qytetin dhe lanë qindra banesa nën ujë, si dhe i morën jetën një personi. Protesta u shoqërua me akuza të ndaj institucioneve vendore dhe qendrore për mungesë investimesh, neglizhencë dhe korrupsion.
Banorët kanë ngritur akuza ndaj kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, duke thënë se administrata bashkiake nuk ka kryer asnjë pastrim të pusetave dhe kanaleve kulluese, ndërsa sipas tyre, zyrtarët shfaqen vetëm për “show” mediatik. Protestuesit pretendojnë se miliona euro të mbledhura nga taksat nuk janë investuar në infrastrukturë, duke e lënë qytetin të pambrojtur përballë reshjeve intensive.
Gjatë protestës, qytetarët kanë deklaruar se shumë banorë janë intimiduar dhe shantazhuar për të mos marrë pjesë, sipas tyre me kërcënimin se nuk do të përfitojnë dëmshpërblim për dëmet nga përmbytjet. “U sos durimi”, u shprehën disa prej protestuesve, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale.
Tensionet u rritën edhe më tej kur protestuesit raportuan se policia ka shoqëruar në komisariat të paktën një qytetar pas hedhjes së kapsollave.
Protestuesit theksuan se ende nuk janë dëmshpërblyer as për përmbytjet e mëparshme dhe paralajmëruan se protesta nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi, përgjegjësi dhe largim të zyrtarëve që ata i konsiderojnë përgjegjës për situatën e krijuar në Durrës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)