Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Duke folur nga salla e Kuvendit, Kurti theksoi se vendimi i Presidentes ka krijuar paqartësi institucionale dhe nuk respekton kufijtë kushtetues të përcaktuar për institucionet.
“Mirë se gjejmë njëri-tjetrin në seancën plenare të Kuvendit të Republikës sërish, në rikthimin e shtëpisë së demokracisë pothuajse një muaj pas dekretit të Presidentes për shpërndarjen e tij. Dekreti i lëshuar është në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka krijuar një situatë e cila kërkon qartësi jo konfuzion, e cila kërkon përgjegjësi jo shmangie. Gjykata Kushtetuese ka folur për natyrën e Republikës sonë demokratike parlamentare dhe për kufijtë që Kushtetuta i vendos çdo institucioni”, u shpreh Kurti.
Ai nënvizoi se shpërndarja e Kuvendit nuk mund të përdoret si mjet për të zgjidhur kriza politike apo për të tejkaluar vështirësi momentale.
“Në këtë rend, shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese tani që Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as nën presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, shtoi ai.
Kryeministri e cilësoi situatën aktuale jo si një boshllëk institucional, por si një mundësi për të vijuar funksionimin normal të institucioneve dhe përmbushjen e detyrave kushtetuese.
Ndërkohë, ai theksoi se, megjithëse forca e tij politike, Vetëvendosje, doli e para nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ende nuk ka ndërmarrë hapa për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)